
Prokuroria e Vlorës ka intensifikuar ndjeshëm veprimet hetimore në institucionet vendore, duke mos u mjaftuar vetëm me sekuestrimin e dhjetëra dosjeve pranë Drejtorisë së Aseteve në Bashkia Vlorë. Burime bëjnë me dije se hetimi është shtrirë tashmë edhe në zyrat e protokollit, ku dy oficerë të Policisë Gjyqësore, së bashku me një oficer të Krimit Ekonomik, janë rikthyer sërish ditën e djeshme për kontrolle të thelluara që kanë zgjatur nga ora 16:30 deri rreth orës 23:00.
Sipas informacioneve pranë organit të akuzës për A2 CNN, fokusi i këtyre verifikimeve ka qenë kontrolli i kartelave dhe dokumentacionit zyrtar që lidhen si me hapësirat e plazheve, ashtu edhe me sipërfaqet e hapësirave publike të administruara nga bashkia. Oficerët kanë shqyrtuar në detaje përputhshmërinë e datave, saktësinë e regjistrimeve dhe nëse dosjet rezultojnë të protokolluara me të njëjtin numër, duke ngritur dyshime për parregullsi administrative dhe procedurale në dokumentacionin zyrtar.
Burimet për A2 CNN theksojnë se hetimi synon të zbardhë nëse ka pasur manipulime të regjistrimeve, mbivendosje dosjesh apo përfitime të paligjshme të hapësirave publike, veçanërisht në zonat bregdetare ku prej vitesh janë ngritur shqetësime për abuzime me plazhet dhe pronat në administrim publik.
Por veprimet e Prokurorisë së Vlorës nuk janë kufizuar vetëm në ambientet e bashkisë. Paralelisht, përmes një shkrese zyrtare, organi i akuzës i është drejtuar Drejtorisë së Ujësjellësit të Vlorës, duke kërkuar vënien në dispozicion të listë-prezencave dhe dokumentacionit të punës për disa punonjës, për periudhën e vitit 2022.
Sipas burimeve hetimore për A2 CNN, ekzistojnë dyshime të forta se një numër i caktuar punonjësish kanë përfituar paga në këtë institucion, ndërkohë që në të njëjtën kohë kanë rezultuar të kenë qenë jashtë territorit të Shqipërisë. Këto dyshime kanë ngritur alarmin për pagesa të mundshme fiktive, shkelje të disiplinës së punës dhe dëme financiare ndaj institucionit publik.
Aktualisht, Prokuroria po kryen verifikime të kryqëzuara mes dokumentacionit administrativ dhe të dhënave të lëvizjeve jashtë vendit, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për shkelje individuale apo për një skemë më të gjerë abuzimi.
Megjithëse veprimet hetimore janë intensifikuar ndjeshëm, deri në këto momente nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Vlorës nëse ndaj Bashkisë Vlorë apo institucioneve të tjera është regjistruar formalisht një procedim penal. Burimet për A2 CNN nuk përjashtojnë mundësinë që pas përfundimit të fazës së verifikimeve administrative, hetimi të kalojë në një fazë më të thelluar penale, nëse konstatohen shkelje konkrete të ligjit. (A2 Televizion)