Mbërrijnë në Durrës trupat e pajetë të familjes Kola, përlotet gazetarja e A2 CNN

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2026, 09:04 | Aktualitet

Kanë mbërritur në Portin e Durrësit trupat e pajetë të katër anëtarëve të familjes Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht në Itali si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit, pas një rrjedhjeje gazi në banesën e tyre.

Familjarë, të afërm dhe miq ishin të pranishëm për të pritur kortezhin mortor, në një atmosferë të rënduar nga dhimbja dhe emocionet. Pamjet nga porti dëshmuan trishtimin e thellë për humbjen e një familjeje të tërë nga fshati Grysh i Madh i Peqinit, ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Shqipëri.

Gjatë raportimit për Dita Jonë nga porti i Durrësit edhe gazetarja e A2 CNN Elitjona Doko u përfshi nga emocionet dhe u përlot në transmetim teksa përcillte lajmin dhe tregonte situatëne  familajrëve që prisnin viktimat.

“Ka qenë një pamje tepër e trishtë ajo që ofronte porti i Durrësit, por dhe gjithë familjarët të cilët kishin ardhur për të pritur kortezhin dhe për të bërë nderimet e fundit të të afërmve të tyre. Ka qenë e gjitha organizuar nga komuniteti i Lukës atje në Itali, qoftë momenti kur ata kanë bërë edhe ceremoninë e fundit mortore atje, jo vetëm shqiptarë edhe italianë, shumë prej të cilëve edhe sot kanë ardhur për të bërë edhe përcjelljen për në banesën e fundit për një familje të tërë. Ka qenë një moment që sigurisht ka pasur emocionet e familjarëve”, u shpreh mes lotëve gazetarja e A2 CNN.

Sipas raportimeve edhe nga mediat italiane, dyshohet se rrjedhja e gazit dhe prania e monoksidit të karbonit, një gaz pa ngjyrë dhe pa erë, ka shkaktuar asfiksinë fatale. Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në banesa dhe nevojën për instalimin e pajisjeve detektuese të monoksidit të karbonit, të cilat konsiderohen thelbësore për parandalimin e rasteve të tilla tragjike.

Ndërkohë ceremonia mortore për familjen Kola pritet të zhvillohen në vendlindje.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos