Dëme në infrastrukturë, reshjet në Pogradec shkatërruan një pjesë të unazës rrugore

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
12 Shkurt 2026, 19:25 | Aktualitet

Reshjet e shumta të nëntorit të vitit të kaluar shkaktuan jo vetëm përmbytje në Pogradec, por edhe dëme të shumta në infrastrukturë.

Më problematike ishte situata përgjatë lumit të Vërdovës, ku prurjet e shumta të ujit shkatërruan mure mbajtëse dhe ura që shërbenin për kalimin e banorëve. Jo vetëm kaq, por uji dëmtoi edhe një pjesë të unazës rrugore të Pogradecit, e cila, bashkë me urat mbi lumë, vijon të jetë e pa rindërtuar.

Banorët shprehen se kjo nuk është hera e parë që ky lum shkakton dëme të tilla. Ata shtojnë se duhet të investohet njëherë e mirë në argjinaturën e tij për të mos shkaktuar më dëme tek banorët që jetojnë përgjatë tij, shkruan A2 CNN.

Bashkia Pogradec bën me dije se ka dërguar dy projekte pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për lumin e Vërdovës dhe Rrëmenj, dhe se deri në financimin e tyre do të ndërhyhet përmes një fondi emergjence për të mos lejuar dëmtimin e mëtejshëm të rrugës. Projekti, krahas argjinaturës, parashikon edhe prishjen e të gjitha urave familjare që bëhen pengesë në rast reshjesh të shumta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos