
Procesi i vettingu-t mbetet themeli i reformës në drejtësi dhe një nga kushtet kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Këtë e theksoi Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë një vizite në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku u prit nga Kryetari Sokol Çomo.
Gonzato nënvizoi rëndësinë e finalizimit të të gjitha aktiviteteve të vettingut përpara qershorit 2026, datë kur përfundon mandati kushtetues i institucioneve të rivlerësimit. Ai e cilësoi këtë proces si “shtyllë kurrizore të reformës në drejtësi” dhe thelbësor për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Ambasadori bëri të qartë se unioni do të vazhdojë mbështetjen e plotë për procesin e vettingut dhe për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), që ka luajtur një rol të rëndësishëm në garantimin e transparencës dhe integritetit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gonzato po ashtu dënoi ashpër sulmet dhe fushatat dezinformuese kundër ONM-së dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, duke i cilësuar ato si “të pajustifikuara dhe të papranueshme”.
“Këto sulme synojnë të minojnë besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe të dëmtojnë ecurinë e reformës në drejtësi”, theksoi ai.
Procesi i vettingut, që nisi në vitin 2017, është një nga elementët më të rëndësishëm të reformës në drejtësi dhe mbetet kusht thelbësor për hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian. (A2 Televizion)
