E hëna e parë e janarit nisi vrullshëm për Sali Berishën. Në orën 09:30 lideri demokrat del nga banesa dhe niset drejt SPAK, për të respektuar masën e re të sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Teksa mjeti i Berishës çan trafikun e Tiranës, para godinës së qelqtë u grumbulluan demokratët, të cilët kanë ardhur në mbështetje të liderit të tyre kundër vendimit të Apelit të posaçëm që i ngarkoi ish-kryeministrit të vizitonte SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.
Protesta vijon edhe me shkrim pas derës së SPAK. Në procesverbalin e rastit para oficerit të policisë gjyqësore, kreu i PD e quan akt të turpshëm dhe antikushtetues masën ndaj tij, ndërsa Gjykata e Posaçme sipas tij është kukull e partisë në pushtet.
Pak minuta procedurë dhe një përshkrim i asaj që tha se pa aty.
“Aty gjeta McGonigalin që po i bënte kurs Altin Dumanit, po e trajnonte Dumanit. Gjeta aty Lali Vjedhësin, po rrihej me kolegët, sepse ju thërrisni Ajolën këtu dhe nuk thërrisni Lindën. Gjeta aty Ulsiun, po zihej me Dumanin aty për çantën Louis Vuitton”, deklaroi Berisha, transmeton A2 CNN.
Një ndalesë e gjatë për t’ju përgjigjur gazetarëve dhe më pas në foltore për qytetarët në protestë. E quan kartolinë një dokument sipas tij zyrtar me bisedë me bandat të Taulant Ballës, drejtues politik i Elbasanit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
“Taos banda i komunikoi se nuk do të bien më në qafë për tendera, nuk do të bien në qafë për probleme të tjera. E kuptoni shteti i krimit. Listën e bëjnë bandat, lista i jepet Taos për ta ekzekutuar”, u shpreh kreu demokrat.
Nga SPAK drejt selisë blu aty ku vijoi aktivitetin normal politik me konferencën e çdo të hëne me gazetarët. Berisha shpalosi një pjesë të programit të Partisë Demokratike ku premtoi se me ardhjen në pushtet do të përgjysmojnë taksat për naftën. (A2 Televizion)