Qindra besimtarë ortodoksë janë bërë pjesë e së premtes së zezë që simbolizon vdekjen e Jezus Krishtit. Gazetarët e A2 CNN në Korçë, Durrës dhe Fier kanë sjellë pamje nga kremtimi i kësaj ceremonie.
Korçë
Rrugëtimi i Epitafit ka filluar me grumbullimin e besimtarëve ortodoksë të pesë kishave në sheshin përballë katedrales "Ringjallja e Krishtit", me pas besimtarët por dhe shumë qytetarë korçarë përfshirë këtu edhe ata të besimeve të tjera fetare kanë lëvizur përgjatë pedonales dhe bulevardeve "Fan Noli" e "Republika" në 14 ndalesat e mundimeve të Jezus Krishtit.
Ceremoninë e së Premtes së Zezë e ka drejtuar Mitropoliti i Korçës dhe Voskopojës Hirësia e Tij Imzot Joan Peleshi.
Epitafi simbolizon rrugëtimin e mundimshëm të Krishtit deri në kryqëzimin e tij.
Durrës
Qindra besimtarë ortodoksë u mblodhën pasditen e djeshme në katedralen e Apostul Pavlit dhe Shën Astit në Durrës për të marrë pjesë në ceremoninë e Udhës së Kryqit, e njohur ndryshe si lëvizja e Epitafit të Krishtit.
Është ky një rit fetar, që organizohet në mbrëmjen e të premtes së zezë dhe që shpreh dhimbjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.
Mes besimtarëve, gjatë riteve fetare ishin të pranishëm edhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe prefekti i qarkut Emiljan Jani.
Ceremonia e shërbesës së epitafit dhe procesioni filloi nga katedralja e Apostul Pavlit dhe Shën Astit
Ka qenë një kortezh i madh besimtarësh që kanë shoqëruar Epitafin, atë që në fenë e krishterë simbolizon Krishtin në kryq.
Me një marshim të heshtur, të shoqëruar nga tingujt e bandës së qytetit, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në bulevardin kryesor të qytetit.
Fier
Qindra besimtarë ortodoksë në Fier morën pjesë në ceremoninë e shëtitjes së Epitafit të Krishtit. Ky rit fetar organizohet në mbrëmjen e së premtes së zezë. Një ditë kreshme dhe lutjeje e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.
Nën tingujt liturgjikë të bandës së qytetit, Epitafi përshkoi rrugën nga Kisha e Shën Gjergjit në disa rrugë kryesore dhe qendër të qytetit, për t’u kthyer me pas në kishë për të pritur atje besimtarët natën e Pashkëve, që sjell gëzimin e ringjalljes së Jezusit. E Premtja e Madhe, apo e Premtja e Zezë është dita kur kujtohen vuajtjet dhe vdekja e Krishtit, Pashkët janë festa e Ringjalljes së tij nga të vdekurit.
E ashtuquajtura “java e zisë” fillon me të dielën që paraprin dhe është java më e rëndësishme në kalendarin e kishës. Për këtë shkak, në ditën e vdekjes së Jezusit, në të Premten e Zezë, në qendër të përkujtimit janë zia dhe pendimi. (A2 Televizion)