Sali Berisha mori një tjetër karton të kuq nga Gjykata e Posaçme e Apelit, në përpjekjen e tij për të shpëtuar nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Gjyqtarja Ilirjana Olldashi refuzoi të premten kërkesën e radhës të ish-kryeministrit për të rrëzuar masën izoluese në të cilën qëndron prej 30 dhjetorit 2023.Apeli la në fuqi vendimmarrjen e 8 prillit, sipas të cilit masa aktuale ndaj ish-ministrit nën hetim për “korrupsion” nuk duhet të ndryshonte.
I njëjti vendim i Apelit la në fuqi masën e “arrestit në shtëpi” edhe për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Berisha, i akuzuar për “korrupsion” e “pastrim parash” në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Para këtij vendimi, në Shkallën e Parë të Gjykatës së Posaçme u zhvillua seanca për informacion 2 –mujor për dosjen, seancë ku SPAK prezanton veprimet dhe gjetjet hetimore.
Pa kursyer ironinë, avokati i ish-kryeministrit pretendoi mangësi provash të reja, ndërsa cilësoi SPAK-un si formacion politik.
Që prej izolimit të tyre në shtëpi Sali Berisha e Jamarbër Malltezi kanë kërkuar zëvendësimin dhe shfuqizimin e kësaj mase në të tre shkallët e gjykimit, beteja që kanë rezultuar të dështuara. (A2 Televizion)