
Në njësit Dardhas, Trebinjë dhe Velçan në Pogradec trashësia e dëborës ka kaluar mbi 20 cm duke pamundësuar lëvizjen e mjeteve të vogla. Qarkullimi në akset rurale në këto njësi nga fshatrat drejt njësive administrative bëhet vetëm me mjete të larta dhe duke përdorur zinxhirë.
Aktualisht të bllokuara edhe si pasojë e shkarjes së dherave është aksi rural Kalivaç-Dunicë në njësinë Trebinjë, rruga e fshatit Zall Torrë në njësinë Proptisht e pakalueshme nga mjetet për shkak të rrëshqitjes së dherave, rrëshqitje në këtë njësi ka edhe në Slabinjë e Selishtë, po ashtu në të njëjtën gjendje është edhe rruga rurale e fshatit Laktesh në njësinë Velçan, shkruan A2 CNN.
Sa i përket fshatrave të thellë të njësisë administrative Dardhas (Niçë, Osnat, Stërkanj, Dërdushë e Lekas) lëvizja e mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë.
Autoritetet thonë se janë dërguar mjete për të punuar në pastrimin e borës dhe hapjen e rrugëve, ndërsa do të jetë e vështirë në këto kushte atmosferike që ti jepet zgjidhje rrëshqitjes masive të dherave të ndodhura në akset rurale. (A2 Televizion)