
Segmenti i bllokuar në zonën Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, që pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, ka pësuar një tjetër goditje të rëndë.
Burime nga terreni bëjnë me dije për A2CNN se rruga dytësore, e cila ishte hapur për të mundësuar kalimin provizor të mjeteve, ka pësuar një fundosje dhe rrëshqitje shkatërrimtare të një sipërfaqeje të madhe toke, shkruan A2.
Lëvizja masive e dheut ka dëmtuar seriozisht punën e kryer ditët e fundit, duke e bërë të pakalueshëm për një kohë të gjatë këtë segment strategjik rrugor. Janë hequr edhe makinat e firmës pasi ekziston frika e fundosjes së mëtejshme. Mësohet se është ndaluar edhe qarkullimi i këmbësorëve.
Pritet një rivlerësim urgjent i kushteve gjeologjike dhe i planit të ndërhyrjes. Specialistët paralajmërojnë se terreni në këtë zonë mbetet tepër i paqëndrueshëm, çka e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë. (A2 Televizion)