Reshjet e dëborës të ditëve të para të shkurtit kanë rikthyer vizitorët në fshatin turistik të Dardhës, duke sjellë një fundjavë të tej mbushur.
Vizitorët janë kryesisht nga qytete të ndryshme të Shqipërisë të cilët kanë zgjedhur Dardhën për të kaluar fundjavën, të tërhequr nga peizazhi i mbuluar me borë dhe mundësitë për aktivitete dimërore. Ata shprehen se mbeten besnikë të këtij destinacioni ndër vite, duke theksuar se pista e skive vijon të jetë një nga atraksionet kryesore.
"Vijmë çdo vit në Dardhë. Bora e bën vendin edhe më të bukur dhe pista e skive është arsyeja kryesore pse kthehemi", shprehet një nga turistët.
Biznesi lokal thotë se: “Kjo fundjavë ka sjellë shumë vizitorë. Dëbora është gjithmonë një lajm i mirë për turizmin në zonë.”
Gjatë vitit të kaluar, fshati turistik i Dardhës mirëpriti mbi 6 mijë vizitorë vendas dhe të huaj. Megjithatë, ndryshimet klimatike dhe mungesa e reshjeve të dëborës në disa sezone kanë ndikuar në uljen graduale të numrit të turistëve nga viti në vit, duke e bërë çdo periudhë me borë edhe më të rëndësishme për ekonominë lokale. (A2 Televizion)