Është kryer në Korçë fronëzimi i Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Korçës, Anastas, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit. Ceremonia u zhvillua në orën 11:00 në prani të Kryepiskopit Joan, anëtarëve të Sinodit të Shenjtë, autoriteteve vendore, klerikëve dhe një numri të madh besimtarësh që mbushën përplot katedralen.
Mitropoliti Anastasi u zgjodh unanimisht më 16 shtator nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ndërsa deri në këtë emërim ai shërbente si Episkop i Krujës. Në fjalën e tij, Mitropoliti i ri shprehu mirënjohje ndaj Perëndisë për përgjegjësinë e re, duke theksuar se fronëzimi nuk është akt i thjeshtë njerëzor, por një ngjarje e Kishës.
Duke iu drejtuar besimtarëve, ai theksoi se vjen mes tyre jo për të marrë, por për të shërbyer, duke vënë në dukje rëndësinë e unitetit, bashkëpunimit dhe përballjes me sfidat e kohës. “Kisha duhet të jetë si një spital shpirtëror ku të gjithë gjejnë shërim, si një shtëpi ku të gjithë ndjehen të pranuar dhe si një shkollë ku mësohet e vërteta”, tha Hirësia e Tij. Ai falënderoi gjithashtu Kryepiskopin Anastas, si ringritës i Kishës së Shqipërisë, dhe Kryepiskopin Joan për vizionin dhe vazhdimin e veprës shpirtërore.
Në përshëndetjen e tij, Kryepiskopi Joan vlerësoi kontributin e Mitropolitit të ri në administrimin kishtar dhe rolin e tij në institucionet arsimore e kishtare.
Anastasi (Mamaj), i lindur në Vlorë në vitin 1979, ka një formim të gjerë akademik dhe përvojë në shërbesën kishtare që nga hirotonia e tij si prift në vitin 2019. (A2 Televizion)