Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni ka debatuar me deputetin socialist dhe kreun e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja në mbyllje të konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”.
Ndërkohë që deputeti Gjoni shprehu dëshirën për të diskutuar duke i kërkuar socialistit që të respektojë agjendën, në cilësinë e drejtuesit të punimeve të konferencës, Manja deklaroi mbylljen e fjalimeve.
“Zoti Manja në qoftë se respekton agjendën duhet ta respektosh deri në fund, kështu që dua të diskutoj se jemi me Venecian këtu, nuk është normale që s’ më lë të diskutoj. Nëse do e kishit vendosur në agjendën e diskutimeve jam dakord të bashkohem me ty. Por sa kohë e vendos në agjendën e diskutimeve je i detyruar me pranuar, se këtu rezulton që përveç zotit Strazimiri nuk ka fol njeri tjetër. Pjesa tjetër janë institucione që i keni zgjedhur dhe promovuar sipas qejfit. Kjo nuk është normale”, u shpreh Gjoni.
Në përgjigje të reagimit të tij Manja iu drejtua Gjonit: “Komisioni për çështjet ligjore e administratën publike dhe komisionin për nismat qytetare ta kemi dedikuar dy javë vetëm zotërisë sate. Këtu e deklaroj të mbyllur panelin”. (A2 Televizion)