Sadushi: Reforma në drejtësi s’ka mbaruar, tani nis faza e vërtetë e provës për Shqipërinë

Nga A2 CNN
21 Tetor 2025, 11:41 | Aktualitet

Sadushi: Reforma në drejtësi s’ka mbaruar, tani nis faza e

Shqipëria ndodhet përballë një prove të re në rrugëtimin e saj drejt drejtësisë europiane. Kështu deklaroi kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, gjatë fjalës së tij në 30-vjetorin e anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës.

Sadushi kujtoi se ky moment historik nuk ishte thjesht formal, por moral e politik, duke e përfshirë Shqipërinë në hapësirën evropiane të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit. Ai theksoi rolin udhëheqës të Komisionit të Venecias, i cili prej tri dekadash ka orientuar vendin në ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

“Ngritja e institucioneve të reja nuk është fundi i reformës, por fillimi i saj”, deklaroi Sadushi, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të hyjë tani në fazën e konsolidimit të drejtësisë.

Sipas tij, reforma në drejtësi shënoi një kthesë historike, duke shkëputur gjyqësorin nga varësia politike dhe duke vendosur integritetin në qendër të debatit publik. Megjithatë, Sadushi pranoi se procesi përballet ende me vështirësi si mungesë gjyqtarësh, ngarkesë çështjesh dhe vendime të pabarabarta në procesin e vettingut.

Çdo reformë varet nga njerëzit që e zbatojnë. Problemi më i madh nuk është ligji, por integriteti dhe guximi i atyre që mbajnë përgjegjësi për ta bërë drejtësinë realitet”, tha ai.

"Reforma në drejtësi fitoi besimin e publikut dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, sepse synoi ndarjen përfundimtare të drejtësisë nga politika dhe forcimin e integritetit institucional të sistemit gjyqësor. Megjithëse u konceptua mirë, përvoja ka treguar se çdo reformë varet nga mënyra e zbatimit dhe nga njerëzit, që e mbajnë gjallë. Pas nëntë vjetësh nga miratimi i saj, sistemi gjyqësor ende përballet me mungesa në trupën gjyqësore, me ngarkesë të lartë çështjesh dhe me vonesa në dhënien e vendimeve. Procesi i rivlerësimit kalimtar (vetingu), pavarësisht vlerës historike për pastrimin moral të sistemit, nuk ka qenë i imunizuar ndaj problemeve. Në këtë kuptim, reforma duhet ushqyer çdo ditë me besim dhe guxim institucional. Trashëgimia e saj është baza, mbi të cilën duhet të ngrihet faza e konsolidimit. Nëse procesi i vetingut shënoi pastrimin moral të sistemit, sfida e sotme është ndërtimi i një kulture të qëndrueshme përgjegjësie dhe besimi. Në këtë fazë të re, drejtësia shqiptare duhet të tregojë pjekuri dhe vetëbesim, duke ndërtuar forcën e saj mbi përgjegjësinë e brendshme dhe mbi bashkëpunimin e qëndrueshëm me partnerët evropianë", shtoi kreu i Gjykatës së Lartë.

Sadushi e përshkroi vettingun si “pastrimin moral të sistemit”, ndërsa fazën e re e konsideroi “ndërtimin e besimit institucional”. Ai paralajmëroi se nëse drejtësia nuk ushqehet çdo ditë me përgjegjësi, rrezikon të mbetet peng i reformave pa fund.

Në fjalën e tij, Sadushi apeloi edhe për maturi politike, duke theksuar se reforma nuk mund të ketë sukses pa një politikë të përgjegjshme dhe pa një sistem drejtësie me integritet.

“Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet nga të tjerët për ne, por ndërtohet bashkë me integritet që nuk blihet, me dinjitet që nuk përkulet dhe me etikë që nuk komprometohet”, u shpreh ai.

Në përfundim, kreu i Gjykatës së Lartë e cilësoi reformën në drejtësi si projektin më të madh institucional të 30 viteve të fundit, një akt pjekurie që duhet tashmë sipas tij të shndërrohet nga pastrim moral në kulturë përgjegjësie.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos