Dallgët deri në 1.5 metra në Vlorë, pezullohet lundrimi për 24 orë

Nga Edi Ruçi
25 Nëntor 2025, 10:47 | Aktualitet

Dallgët deri në 1.5 metra në Vlorë, pezullohet lundrimi

Kapiteneria e portit detar të Vlorës për shkak të kohës së keqe dhe detit me dallgë ka pezulluar lundrimin për 24 orët e ardhshme. Sipas njoftimit të kapitenerisë në Vlorë duke filluar prej orës 10:00 të mëngjesit të kësaj të marte dhe deri në orën 06:00 të mëngjesit të së mërkurës do të kemi pezullim të lundrimit.

Mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit nuk do të lejohen të lundrojnë brenda apo jashtë gjirit të Vlorës. Pezullimi i lundrimit është shkaktuar nga era e fortë bregdetare që ka prekur qytetin. Erë e fortë me shpejtësi Jug-Juglindje, e cila arrin në shpejtësinë 10-15 metër për sekondë duke bërë që në gji dallgët të shkojnë deri në 1 metër lartësi dhe jashtë gjirit deri në 1.5 metër lartësi, duke e bërë të pamundur lundrimin e këtyre mjeteve, shkruan A2 CNN.

Bëhet me dije se trageti i linjës me Brindisin do të vijojë lundrimet në normalitet të plotë. Pasi ky traget përballon një forcë deti më të madhe se kaq.

Ndërkohë, për të shmangur të papriturat në bregdet, dëmet materiale kapiteneria i ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese dhe atyre të peshkimit të sigurojnë mjetet në bregdet dhe mos të dalin për lundrim pasi koha e keqe rrezikon dhe jetën e tyre. Administratorët kanë nisur që të sigurojnë varkat e peshkimit në bregdet për të shmangur përplasjen e tyre me kalatat e portit. Sipas njoftimit kushtet hidrometerologjike pritet të përmirësohet pas orës 06:00 të mëngjesit të ditës së mërkurë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos