Helmimet nga gazi, shpesh me pasoja fatale, ndodhin edhe pse njerëzit fillimisht nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh. Zjarrfikësi Bojken Dalipaj, i cili jeton në Finlandë, shpjegoi në “Dita jonë” në A2 CNN se simptomat vijnë gradualisht.
“Nuk shkon në pjesën fatale që në momentin e parë”, tha ai. “Ke fillimisht dhimbje koke pastaj do të kesh pak marrje mendsh, më pas të vjella... Dhe ti i anashkalon, mendon se është diçka e vogël”. Sipas Dalipajt, këto shenja duhet të alarmojnë personat të largohen menjëherë nga ambienti ku ndodhen.
Ndërsa pedagogu i Infermierisë, Studim Hysaj, tha se një element shumë i mirë parandalues është ajrosja e ambienteve. “Ky është problem që e hasim shpesh, ajrosja e dhomave. Duhet patjetër të kemi dhoma me ajrosje, sepse ne shpesh mbyllim dyer, dritare, me grila, çdo gjë mbyllur”, shpjegoi ai.
Simptomat dhe reagimi në raste të tilla u rikthye në vëmendje pas ngjarjes tragjike në Itali, ku katër anëtarët e familjes shqiptare Kola, humbën jetën pasi u helmuan nga gazi. (A2 Televizion)