“Helmohesh për 10 sekonda”, pedagogu i infermierisë tregon efektin e shpejtë të monoksidit të karbonit

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2026, 08:43 | Aktualitet

Monoksidi i karbonit mbetet një nga rreziqet më të mëdha në mjediset e mbyllura, pikërisht sepse është një gaz pa ngjyrë dhe pa erë. Rasti i fundit i pasojave fatale të tij ishte ai i familjes shqiptare në Itali, ku katër anëtarët, dy pridnërit dhe dy fëmijët, humbën jetën. Siç shpjegoi pedagogu i infermierisë Studim Hysa në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, njeriu nuk ka asnjë mënyrë ta kuptojë praninë e tij derisa të jetë tepër vonë. Ky gaz formohet nga djegia e paplotë e lëndëve djegëse, si druri, gazi, karburantet apo nga pajisje si kaldajat, sobat, makinat dhe gjeneratorët.

Sipas Hysës, problemi bëhet kritik kur ky gaz grumbullohet në një ambient të mbyllur pa ajrosje. Në atë moment, ajri i pasur me oksigjen zëvendësohet gradualisht nga monoksidi i karbonit dhe trupi i njeriut e thith atë njësoj si oksigjenin.

Efekti është jashtëzakonisht i shpejtë dhe i rrezikshëm. “Nga rastet që kemi dëgjuar dhe parë, persona të cilët kanë qenë në gjumë shtrirë, nuk kanë pasur as mundësinë të ngrihen, pra mund të jetë brenda 10 sekondave. Kjo mund të shkaktojë direkt humbjen e jetës”, tha Hysa.

Ai paralajmëron gjithashtu se në raste të tilla nuk duhet të futesh në ambiente të kontaminuara pa pajisje mbrojtëse, sepse rreziku është i menjëhershëm edhe për personin që përpiqet të ndihmojë. Ndihma e parë duhet të konsistojë vetëm në nxjerrjen e viktimës në ajër të pastër dhe thirrjen e shërbimeve emergjente, jo në qëndrimin brenda për të kryer veprime të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos