
Problemi i pagave të rreth 6.000 mësuesve, të penalizuar nga vendimi i Këshillit të Ministrave është drejt zgjidhjes. Në një postim në rrjetet sociale Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë bën të ditur se FSASH dhe SPASH kanë zhvilluar takime dhe negociata me Ministrinë e Arsimit, DAP dhe Komisionin Parlamentar të Edukimit, duke kërkuar ruajtjen e trajtimit financiar sipas parimit të së drejtës së fituar.
Për vitin 2026, Ministria e Arsimit ka konfirmuar se zgjidhja e kësaj problematike mbetet prioritet. Aktualisht, pritet vendimi përfundimtar pas propozimit për ndryshimin e ligjit, i cili synon korrigjimin e pasojave të VKM-së.
Njoftim i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë
NJOFTIM: Problemi i pagave të rreth 6.000 mësuesve të penalizuar nga VKM nr 425/2024 është drejt zgjidhjes !
Pas daljes së këtij vendimi i cili penalizoi rreth 6.000 mësues në pagë dhe kualifikim, FSASH dhe SPASH ka zhvilluar takime të shumta dhe korrespondencë me Ministrinë e Arsimit, Departamentin e Administratës Publike, Kryeministrinë dhe Parlamentin.
Hapat kryesorë që janë ndjekur:
- Janë evidentuar zyrtarisht pasojat negative të VKM-së dhe kanë kërkuar zgjidhje për ruajtjen e trajtimit financiar ekzistues deri më 30.06.2024.
- FSASH dhe SPASH ka zhvilluar takime të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit dhe DAP, ku u arrit dakordësi parimore për trajtimin me pagën e grupit 14.000 lekë, sipas parimit të së drejtës së fituar.
- Procesi u paralizua pasi një sindikatë jo-përfaqësuese e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke minuar gjithë punën dhe dakordësinë e arritur me MAS dhe DAP. Pas kësaj, MAS dhe DAP u shprehën se çështja nuk mund të shqyrtohej më, për sa kohë ishte në proces gjyqësor.
- FSASH dhe SPASH e kanë deklaruar publikisht se çuarja e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese ishte një hap i gabuar, duke vijuar paralelisht paditë në gjykatat administrative (të cilat janë ende në proces), si dhe takime dhe bisedime të tjera me Ministrinë e Arsimit për gjetjen e një rruge ligjore zgjidhjeje.
- Në nëntor 2025, të dyja sindikatat, të ftuara në Komisionin Parlamentar të Edukimit, Shkencës dhe Sportit, gjatë diskutimit të buxhetit të Arsimit për vitin 2026, e kanë ngritur si kërkesë kryesore zgjidhjen e problematikës së pagës së grupit të shkaktuar nga VKM nr. 425/2024, përfshirë edhe mësuesit e arsimit parashkollor.
- Në takimin me Zv. Ministren e Arsimit në dhjetor 2025, gjatë diskutimit për shpërblimin e fundvitit, u konfirmua se për vitin 2026 prioritet mbetet zgjidhja e problematikave të krijuara nga VKM nr. 425/2024.
- Hapi i fundit, i ndërmarrë, është dërgimi i propozimit konkret në Komisionin Parlamentar të Edukimit për ndryshimin e Ligjit nr. 69/2012, me qëllim korrigjimin e padrejtësisë së krijuar nga VKM nr. 425/2024.
Nga takimet që kanë zhvilluar së fundmi drejtuesit e SPASH dhe FSASH me Kryetarin dhe zv. Kryetaren e Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Ministrinë e Arsimit, jemi në pritje të zgjidhjes përfundimtare të problemit. (A2 Televizion)