Richard Grenell, ish-dërguar i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, po kalon pushimet e tij verore në Shqipëri. Ai ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku tregon se ndodhet në jugun e Shqipërisë, duke ndarë momente nga pushimet me miqtë amerikanë.
Grenell, i njohur për angazhimin e tij në politikën ndërkombëtare, ka shfrytëzuar këtë mundësi për të shprehur entuziazmin e tij për Shqipërinë, duke shkruar "Shqipëria me amerikanë" në postimin e tij, ndërsa prezantoi miqtë e tij që po qëndrojnë në vendin tonë.
Pas përfundimit të detyrës si dërguar i posaçëm Grenell ka mbajtur një vëmendje të shtuar për zhvillimet në rajon. Ai reagoi disa javë më parë në mbështetje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se arrestimi i tij në vitin 2020 ishte një vendim i prokurorit Jack Smith, kur administrata Trump ishte e angazhuar për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Grenell ka vazhduar të jetë një figurë e rëndësishme në politikën amerikane dhe në rajonin e Ballkanit, duke ndjekur me kujdes zhvillimet e fundit. (A2 Televizion)