“Do prodhojmë dronë me izraelitët”, Vengu: Me ta do mbrojmë Samitin e NATO-s në 2027

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2025, 12:31 | Aktualitet

“Do prodhojmë dronë me izraelitët”, Vengu: Me ta do

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu iu është përgjigjur disa pyetjeve në lidhje me aktivitetin e kompanisë “KAYO”, e cila u themelua nga shtetit shqiptar për të ringjallur industrinë e mbrojtjes.

I pyetur nga gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi se kur do të nisë Shqipëria të prodhojë armë dhe municione, Vengu tha se janë ngritur tre kompani për këtë qëllim.

“Atëherë janë themeluar praktikisht tre kompani të përbashkëta shtet-privat. Një kompani për prodhimin e uniformave, kompani vendase por me eksperiencë në tregjet ndërkombëtare, e cila na siguron se uniformat e prodhuara në Shqipëri nuk do të jenë vetëm për Forcat tona të Armatosura por edhe mund të eksportohen çka është një synim parësor i ligjit për industrinë ushtarake”, zbuloi Vengu.

Ministri shtoi më tej se në bashkëpunim me një kompani izraelite, Shqipëria do të prodhojë dronë, të cilët do të përdoren për të ruajtur sigurinë gjatë Samitit të NATO-s, që do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027.

“Prodhimi i municioneve. Kemi një bashkëpunim europian, të huaj dhe vendas me një linjë prodhimi nga Europa Qendrore dhe me partneritet vendas. Dhe sa i përket mjeteve të blinduara, dronëve dhe sistemeve antidronë kemi një partneritet mes një kompanie vendase dhe një kompanie izraelite. Dhe këtu do kemi mundësinë në të ardhmen për gjëra që kemi në negociim e sipër që i kemi aktualisht me dy vende Europiane dhe një vend të Lindjes së Mesme, Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Vengu.

Pyetje: A do ta ruajnë dronët shqiptarë Samitin e NATO-s në 2027?

Vengu: Ky është objektivi që i kemi vendosur vetes, prandaj vijuam edhe me themelimin e një kompanie që do të sigurojë këtë prodhim me patentat dhe transfertë teknologjie siç quhet në zhargonin e industrisë ushtarake, pra një teknologji e huaj që transferohet dhe prodhohet këtu.

Pyetje: A ka rënë dakord NATO që dronët shqiptarë të mbulojnë sigurinë e tyre?

Vengu: Ajo që është e rëndësishme është që NATO bazohet tek kapacitetet e vendit pritës përsa i përket elementëve të sigurisë dhe mbarëvajtjes së Samitit dhe përgjigja është po, ne duhet të sigurojmë kapacitete qofshin këto të mbrojtjes antidronë, apo tokësore dhe detare sa i përket mbarëvajtjes së Samitit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos