
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ka shtuar një destinacion të ri në rrjetin e tij, linjën direkte Tiranë – Heraklion.
Kjo linjë e re pritet të shërbejë mijëra shqiptarëve që jetojnë e punojnë në ishullin grek të Kretës, duke lehtësuar udhëtimet mes dy vendeve dhe duke krijuar një mundësi të re për bashkëpunim turistik e ekonomik.
Sipas njoftimit nga Aeroporti i Tiranës, kjo është pjesë e zgjerimit të vazhdueshëm të destinacioneve që tashmë arrijnë në 118 linja aktive. Me këtë ritëm rritjeje, TIA pritet të arrijë një rekord të ri prej 12 milionë pasagjerësh brenda këtij viti.
“Linja Tiranë–Heraklion është një urë e re mes Shqipërisë dhe Kretës, që do të sjellë më shumë vizitorë drejt vendit tonë dhe do t’u shërbejë komuniteteve shqiptare që jetojnë atje”, tha zv/kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas Ballukut, kjo nismë e re konfirmon pozicionin e TIA-s si një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon, duke forcuar gjithnjë e më shumë rolin e Shqipërisë si një qendër e rëndësishme udhëtimi në Ballkan. (A2 Televizion)
