Historiania Valentina Duka, e ftuar në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, u shpreh se rinia mendonte se Partia Komuniste “ishte i vetmi formacion që do e bënte Shqipërinë më të mirë pas çlirimit, por pas vitit 1944 u pa që e kishin gabim”.
“Pas krijimit të Partisë Komuniste dhe fillimit të rezistencës kundër Italisë e pastaj Gjermanisë, në krye të kësaj rezistence u vunë intelektualë, profesionistë, të rinj dhe sidomos rinia shkollore në qendrat urbane. Në pjesën më të madhe nuk iu bashkuan dy organizatave të tjera siç ishin Balli Kombëtar dhe Legaliteti sepse ata grumbulluan rreth tyre ish-elitën politike shqiptare të periudhës së Zogut. Kjo elitë nuk mbështetej nga rinia, e cila ndoqi frontin e ri të Partisë Komuniste. Komunizmi në Shqipërinë e asaj kohe nuk ishte ai i pas 44-ës dhe të rinjtë mendonin se ishte i vetmi formacion që do e bënte Shqipërinë më të mirë pas çlirimit. Por, pas vitit 1944 u pa që e kishin gabim”, tha Duka.
“Ata që u bashkuan me Ballin dhe Legalitetin e dinin më mirë se çfarë ishte komunizmi, por nuk krijuan dot frymën. Ata nuk kishin rininë dhe idetë, pavarësisht se anglo-amerikanët bënë të pamundurën që këta të fitonin supremacinë në terren. Ata nuk donin që pas luftës ta merrni komunistët pushtetin, por Balli dhe Legaliteti të ishin pjesë e qeverisjes pos luftës. Ama, Enver Hoxha, kur fronti kishte marrë terren, nuk ishte i gatshëm të ndante pushtet as me Ballin, as me Legalitetin. Ai e donte Shqipërinë për vete”, shtoi Duka.
(A2 Televizion)