Ish-gjykatësi Luan Hasneziri ka shprehur në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN, përjetimet e tij pas ngjarjes që tronditi sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, ku viktimë brenda sallës së gjyqit mbeti anëtari i togave të zeza, Astrit Kalaja.
Hasneziri u shpreh se besimi i publikut te gjyqësori është tepër i ulët për shkak edhe të rrjedhës historike të Shqipërisë, por akuzoi edhe politikën sepse sipas tij me gjuhën e urrejtjes ndaj togave të zeza ka mbarsur qytetarët për t’i sulmuar ata.
“Unë në fakt duke qenë edhe pjesë e sistemit gjyqësor si gjyqtar prej 20 vjetësh dhe i larguar tashmë prej procesit të Vettingut, të cilin koha do ta gjykojë. Mendoj se ngjarja është një kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar për faktin se i gjithë opinioni publik por edhe pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ kanë një urrejtje patologjike ndaj pushtetit gjyqësor dhe juristët e kuptojnë se është urrejtje pa arsye. Kjo ka aspektin historik se Shqipëria si një vend i vogël dhe pastaj i pushtuar e me pushtet diktatorial, asnjëherë s’kemi pasur drejtësi të pavarur. Ku gjyqtari gjithmonë shikohej si njeri pabesueshëm por edhe politika aktuale duke etiketuar gjyqtarët dhe mbarsur opinionin publik ka sjellë këto pasoja kaq të rënda. Unë e kam përjetuar shumë keq pasi edhe e kam njohur të ndjerin, pasi kam qenë ish kolegu i tij. Ishte një goditje e rëndë për të gjithë sistemin e drejtësisë por edhe shtetin e së drejtës. Duhet të merren masa të menjëhershme që të garantohet siguria e gjyqtarëve por edhe të sillet fryma e besimit të qytetarëve tek gjykata”, tha Hasneziri në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN.
(A2 Televizion)