Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, pas takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, deklaroi se përdorimi i monopatinave elektrike përbën një shqetësim të shtuar për qytetarët dhe për këtë arsye do të ndalohet.
“Këto mjete përbëjnë rrezik për të miturit dhe të moshuarit që lëvizin në rrugë, por edhe vetë përdoruesit e tyre”, tha Koçiu, shkruan A2.
“Përdorimi i këtyre mjeteve shkakton rrezik imediat për sigurinë publike. Janë 991 raste të raportuara nga urgjenca për aksidente me këto mjete. Ka pasur edhe fatalitete mes këtyre rasteve”, tha nga ana e tij Proda.
Ministrja theksoi se i ka kërkuar Policisë së Shtetit që të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë: “Ata që e shohin monopatinën si mënyrë biznesi, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet”.
"Ne do të hartojnë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do qartësojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kritere për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kaska, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar”, shtoi ministrja e Brendshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shtoi se "duke filluar nga dita e hënë, Policia e Shtetit do të përfshihet në një operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve, dhe për këtë arsye kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces”. (A2 Televizion)