Pas mbledhjes së 260 gjyqtarëve, ku kërkuan me shumë siguri, pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, një ditë më pas Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka nisur takimet në Presidencë me krerët e institucioneve të drejtësisë për sigurinë në gjykata.
Këtë të premte Begaj priti kreun e SPAK, Altin Dumani. Në takim me presidentin ishte edhe kreu i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Apelit. Takimet janë zhvilluar në kuadër të konsultave për masat që duhen marrë për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.
Edhe komandanti i Gardës së Republikës, Simon Zereci shkoi në ambientet e Gjykatës së Posaçme. Zereci zhvilloi një takim me zv.kryetarin e GJKKO-së, Erion Banin, si edhe ka zhvilluar një inspektim në ambientet Gjykatës së Posaçme, por edhe të SPAK. Prej vitit 2023, perimetri i jashtëm i GJKKO-së dhe SPAK-ut ruhen nga Garda e Republikës, pasi konsiderohen institucione të rëndësisë së veçantë.
Një ditë më parë, Bani në mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve kërkoi inspektime në të gjitha ambientet e gjykatave. Ai deklaroi se duhen evidentuar të gjitha problematikat deri tek pyetja e gjyqtarëve dhe stafit të gjykatave për çdo shqetësim apo problematikë që mund të hasin gjatë ushtrimit të funksioneve.
Përmes një deklaratë të përbashkët gjyqtarët propozuan masa konkrete që autoritetet duhet të ndërmarrin për të garantuar sigurinë në gjykata. (A2 Televizion)