Ministria e Brendshme dhe kompania shtetërore IdentiTek kanë prezantuar një sërë risish të rëndësishme në shërbimin e dokumenteve biometrike, duke modernizuar dhe përmirësuar ndjeshëm mënyrën se si qytetarët pajisen me pasaporta dhe karta identiteti.
Risia kryesore është futja në funksion e kuponit elektronik, i cili eliminon nevojën për të shkuar fizikisht në sportelet postare për blerjen e kuponëve për aplikimin e dokumenteve. Tashmë, qytetarët mund të kryejnë pagesat online përmes platformës zyrtare të IdentiTek, duke përfituar një proces më të shpejtë dhe më të lehtë.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe administratorja e IdentiTek, Freskida Halilaj, vizituan një nga zyrat e aplikimit për të parë nga afër funksionimin e sistemit të ri. Hoxha theksoi se tashmë qytetarët mund të aplikojnë online për kuponin dhe më pas të vijojnë me procedurat për prodhimin e kartës së identitetit. Ai shtoi se përmes një pagese shtesë, qytetarët mund të pajisen me kartë identiteti brenda një deri në tri ditë pune, duke eliminuar vonesat dhe duke u përgjigjur kërkesave të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.
Ndërkohë, Halilaj bëri të ditur se Shqipëria është tashmë vendi i 99-të anëtar i Drejtorisë së Çelësave Publik (DCP) në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).
Kjo përfshirje rrit ndjeshëm sigurinë e pasaportave shqiptare dhe përmirëson imazhin e tyre në arenën ndërkombëtare. Pasaportat prodhuar nga IdentiTek janë të pajisura me elementë të avancuar sigurie dhe verifikohen automatikisht për origjinalitetin e tyre.
“Ky sistem i ri do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë qytetarët, veçanërisht për ata që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe që nuk kanë kohë të presin dy javë për rinovimin e dokumenteve”, u shpreh Halilaj.
Këto ndryshime janë pjesë e një reforme më të gjerë për digjitalizimin e shërbimeve shtetërore dhe rritjen e efikasitetit, duke e afruar Shqipërinë me standardet e vendeve të Bashkimit Europian në fushën e dokumenteve të identitetit. (A2 Televizion)