Paralajmërimet për goditje ndaj ambasadave izraelite në botë janë pjesë e një klime të vazhdueshme tensioni dhe nuk përbëjnë risi. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Adri Nurellari. Sipas tij, përtej retorikës dhe kërcënimeve politike, faktet në terren tregojnë se palët po veprojnë me kujdes dhe me goditje të targetuara, pa interes për përshkallëzim të konfliktit.
“Ambasadat izraelite kudo në botë kanë qenë gjithmonë të targetuara pavarësisht kësaj krize edhe dhe sa herë që kanë gjetur në një boshllëk ose hapësirë i kanë sulmuar. Ajo që shohim neve në terren është që goditjet janë shumë të targetuara. Nuk ka asnjë palë interes që të angazhohet dhe ta përshkallëzojë më tutje këtë gjë. Irani po vepron në mënyrë inteligjente, tipike, praktike të një vendi i cili e di sa e ka takatin për të përballur me epërsinë e jashtëzakonshme teknologjike të SHBA-së dhe Izraelit”, u shpreh Nurellari në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas Nurellarit, Irani po ndjek një strategji tipike të luftës asimetrike, duke shmangur përballjen me epërsinë teknologjike të SHBA-së dhe Izraelit. Ai theksoi se Teherani synon të ushtrojë presion mbi ekonominë globale dhe vendet e Gjirit, për të ndikuar në qëndrimet e Uashingtonit.
“Kështu që po përdor një reagim që ne në marrëdhëniet ndërkombëtare e quajmë reagim të një lufte asimetrike, duke u përpjekur që atë që s'bën dot në nivel vertikal, e bën në nivel horizontal duke u përpjekur t'i bëjë presion vendeve të Gjirit Persik edhe ekonomisë botërore në mënyrë që ata t'i bëjnë presion pastaj Trumpit që të tërhiqet. Pra kjo është pak a shumë loja që po shohim neve, por kjo është një lojë që nuk zgjat shumë besoj”, u shpreh Nurellari në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN..
Sa i përket rolit që merr djali i ish-udhëheqësit të Iranit, eksperti e sheh zgjedhjen e tij lideri suprem, si një zgjidhje tranzitore për të ruajtur unitetin mes klerikëve, Gardës Revolucionare dhe ushtrisë. Sipas tij, figura e re nuk pritet të sjellë ndryshime radikale, por të garantojë vazhdimësi dhe stabilitet institucional.
“Duket si një zgjedhje tranzicionale për ta mbajtur strukturën të bashkuar. Ai nuk është karizmatik popullor me atë lloj sharmi ideologjik që kishte Kamenei, i cili ishte një ndër figurat kyçe të revolucionit të ‘79-s. Kështu që duket më tepër si një zgjidhje tranzitore për ti bërë të gjitha palët bashkë sepse aty ka klane dhe fragmente pushteti. Në një anë kemi klerikët që kanë një rol të jashtëzakonshëm, kemi gardën revolucionare dhe kemi dhe ushtrinë në vetvete, e cila po ashtu është një fraksion. Kështu që duket si lloj zgjidhje kompromisi për t'i mbajtur të gjithë bashkë edhe për të garantuar një vazhdimësi nacionale në kohën kur lidershipi i tyre është eliminuar i gjithë. Nuk mendoj se sjell ndryshime radikale, sepse nuk është figurë karizmatike që të mobilizojnë ndryshime radikale. Ajo që duhet të kuptojmë është që përtej pretendimeve për ndryshim, ndryshimi i regjimit është i pamundur në rastin e Iranit”.
(A2 Televizion)