Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë shqiptare. Këtë deklaroi në Off the Record me Andrea Dangllin ën A2 CNN eksperit i marrëdhënieve ndërkombëtare Adri Nurellari, sipas të cilit konflikti nuk parashikohet të zgjasë shumë. Ai thekson se Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes për një krizë të zgjatur energjetike, pasi strategjia e tyre synon garantimin e korridoreve të furnizimit me naftë dhe shmangien e rritjes së çmimeve.
“Zgjatja do jetë e kufizuar për shumë arsye. Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk i intereson që të ketë një krizë energjetike, sepse një ndër arsyet pse ka ndërhyrë ndaj Iranit është çështje gjeopolitike dhe ata duan të sigurojnë korridoret e të sigurojnë furnizimin e vazhdueshëm me naftë. Nuk besoj se do zgjasë shumë edhe për faktin se nga njëra anë zgjatja shumë dhe rritja e çmimeve do t’i siguronte një epërsi strategjike Rusisë, e cila varet kryesisht nga eksporti i gazit dhe naftës, por dhe do të devijonte vëmendjen nga teatri tjetër më i rëndësishëm i SHBA-së që është teatri i përplasjes me Kinën në Indopaqësor. Kështu që këto janë arsyet objektive pse Trumpi nuk ka një interes të mirëfilltë për ta zgjatur më tepër. Do të sigurojë disa objektiva strategjike dhe besoj se çështje do zgjidhet shumë shpejt”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Për Shqipërinë, thekson Nurellari, pasojat ekonomike mund të jenë të ndjeshme. Rritja e çmimit të naftës do të ndikonte menjëherë në inflacion dhe në kostot e bizneseve. Si ekonomi e ndërlidhur ngushtë me Eurozonën, çdo goditje që merr Bashkimi Europian nga shtrenjtimi i energjisë reflektohet edhe në vendin tonë, përmes çmimeve dhe remitancave.
“Nga ana tjetër ne kemi impakte të drejtpërdrejta ekonomike, së pari njëherë sepse dyfishimi i çmimit të naftës, siguron sërish një kthim të inflacionit edhe rrit koston operacionale të vendit. Së dyti duhet patur parasysh që ne jemi shumë të ndërlidhur si ekonomi me Eurozonën. Implikimet që do ketë Eurozona, Bashkimi Europian drejtpërdrejtë prej ndryshimeve të çmimeve të energjisë ngaqë ka një varësi të madhe Europa, që dihet dhe furnizohet kryesisht nga Gjiri Persik. Këto do kenë implikime për ekonominë tonë, se jemi të varur prej tyre, prej çmimeve evropiane, ne jemi importues neto prej tyre, por edhe prej remitancave sepse gjendja ekonomike e Europës ndikon edhe tek remitancat”, shtoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Për Nurellarin sektori më i rrezikuar është turizmi, që tashmë përbën mbi 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas tij konfliktet me përmasa globale dekurajojnë udhëtimet ndërkombëtare dhe ndikojnë drejtpërdrejt në pritshmëritë e sezonit turistik.
“Turizmi është një sektor super delikat i cili preket së pari nga këto lloj konfliktesh të cilat kanë këto përmasa globale që trembin turizmin ndërkombëtar. Raketa që prek Qipron dekurajon udhëtarin dhe duhet patur parasysh që dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ata 30mijë - 40 mijë turistë që vitet e fundit janë shtuar gradualisht drejt Shqipërisë dhe prej Lindjes së Mesme, por këtu ka të bëjë me klimën globale të turizmit. Në qoftë se ndodh ky konflikt dhe zgjat shumë atëherë dekurajohet ndjeshëm turizmi dhe për neve vitin e fundit përflitet që ka vajtur diku te mbi 20% të prodhimit të brendshëm bruto turizmi. Pra tashmë është sektori kryesor dhe duke qenë se sektorët e tjerë produktivë janë të tkurrur, ata që janë më të qëndrueshëm edhe ky që është sektor delikat ka kaq shumë përmasa, atëherë pa dyshim që neve do afektohemi drejtpërdrejt”, theksoi Nurellari në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Po ashtu, rritja e primeve të sigurimit për transportin detar dhe shtrenjtimi i kontejnerëve do të rëndonin tregtinë, duke qenë se Shqipëria është vend importues neto dhe shumë e varur nga tregtia ndërkombëtare, përfshirë Kinën si partner të rëndësishëm. (A2 Televizion)