Dorjan Teliti, këshilltar i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u bëri thirrje shqiptarëve që, nëse nuk e kanë të domosdoshme, të mos blejnë naftë nëse ka rritje të çmimit.
“Unë një thirrje u bëj qytetarëve: nëse shikoni pika karburanti që rrisin çmimin në mënyrë abuzive, në rast se nuk ju duhet domosdoshmërisht ajo nafta për transport, mos ia blini! Vetëm kështu nuk e rrisin çmimin ata. Ata që e kanë makinën për tangërllik, siç kemi parë, mos ta blejnë. Atyre që u duhet me patjetër, janë të detyruar ta blejnë. Këtu duhet të hyjë shteti, të kompensojë të paktën pjesërisht koston shtesë”, tha Teliti.
“Sipas ligjit, a duhet të ketë 3 muaj rezerva? Po. Kush është institucioni që kontrollon krijimin e 3 muajve rezervë? Këto struktura shtetërore përgjegjëse për kontrollin të dalin nga zyrat dhe të shkojnë në pikat e karburanteve dhe t’u kërkojë regjistrat e rezervave. Të bëhet transparencë dhe të kuptohet se nga vjen abuzimi”, shtoi Teliti. (A2 Televizion)