Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga një mot me temperatura të larta, duke arritur në nivelin e 40 gradëve.
Regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve për shkak kushteve atmosferike ka dhënë efekt në rënien e zjarrit tek transformatori i fuqisë 110/10kv të nënstacionit Ibë mbrëmjen e djeshme në Tiranë.
Por brigada e zjarrëfikëses dhe stafi i drejtorisë së Tensionit të Lartë të OSSH solli shuarjen e shpejtë të zjarrit, duke minimizuar dëmet, ndërsa nuk ka asnjë të dëmtuar nga ana e personelit.
Për këtë arsye stakimi i nënstacionit Ibë, ndikoi në ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të zonave Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë dhe Krrabë.
Në një pjesë të këtyre zonave energjia u rikthye brenda një kohë të shpejtë si rrjedhojë e lidhjeve në unazë me fidera të tjerë që dalin nga nënstacioni Farkë.
Ndërkohë OSSH ka shtuar grupet në objekt për të vepruar me ritme më të shpejta, duke u angazhuar se do të punojnë pa ndërprerje deri në orët e para të mëngjesit, për zgjidhjen e plotë të avarisë.
Ndërkohë, OSSH ka rritur masat e gatishmërisë në rang vendi për shkak të rritjes së temperaturave.
Në disa zona prania e zjarreve ka detyruar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të stakojë energjinë elektrike si masë e nevojshme sigurie.
OSHEE Group kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve për ndërprerjet e energjisë elektrike, të ndikuara nga faktorë natyrorë dhe shprehet se vijon të jetë e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e shpejtë të problematikave me rrjetin e shpërndarjes.
(A2 Televizion)