Fermerët kërkojnë ndihmë, karkalecat po shkatërrojnë masivisht të mbjellat

Nga Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
8 Qershor 2024, 14:38 | Aktualitet

Për të disatin vit me radhë, tufat e karkalecave kanë nisur të bëjnë dëme të konsiderueshme në të mbjellat bujqësore në zonën e Lushnjes.

Kamera e A2 ka qenë në fushat e Myzeqesë dhe më konkretisht në zonën e Tërbufit, Grabjanit e Plukut. Fermerët këtu prej vitesh janë orientuar në mbarështimin e blegtorisë dhe për rrjedhojë kanë sipërfaqe të mëdha të mbjella me jonxhë, e cila është ushqimi kryesor në 12muajt e vitit për blegtorinë.

Sipërfaqja e mbjellë në këtë zonë i kalon 1000 hektarë. Por breznia e parë e karkalecit, ka nisur të dëmtojë sipërfaqet e mbjella me jonxhë dhe fermerët janë të pafuqishëm t’i bëjnë ballë të vetëm, duke kërkuar ndihmën e institucioneve shtetërore që merren me bujqësinë.

Sipas fermerëve nëse nuk luftohet tani, pas jonxhës, karkaleci do të dëmtojë edhe të mbjella të tjera siç ka bërë edhe në vitet e mëparshme.

Sipas ekspertëve, lufta ndaj tufave të karkalecave mund të realizohet me spërkatje nga ajri, ose mjete bujqësore masive që arrijnë të spërkasin sipërfaqe të mëdha toke në kohë sa më të shkurtër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos