Porti i Vlorës dhe pika e kalimit kufitar të Kapshticës kanë shënuar këtë të diel fluksin më të lartë të personave që kanë hyrë në vendin tonë që nga periudha e sezonit veror. Mbi 6300 persona nga Kapshtica dhe mbi 1800 nga porti i Vlorës paralajmërojnë ditë me fluks të shtuar në pikat kufitare deri në ditët e para të janarit të vitit të ardhshëm, raporton A2 CNN.
Kjo e diel ka shënuar fluksin më të lartë që nga sezoni veror të pasagjerëve që vijnë në portin e Vlorës me linjën e tragetit nga Brindizi i Italisë. Mbi 1 mijë pasagjerë, 176 autovetura dhe mbi 10 autobusë kanë zbarkuar në portin e Vlorës, duke shënuar ditën e parë të fluksit të fundvitit që do të zgjasë deri në ditët e para të janarit, ndërsa trageti pritet të kryejë linja të dyfishta ditore.
Natyrisht shumica e pasagjerëve janë emigrantë shqiptarë në Itali, transmeton A2.
Ndërkohë fluks në rritje kanë shënuar edhe pika tokësore e kalimit kufitar me Greqinë në Kapshticë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit nga kjo pikë janë futur në vendin tonë mbi 6300 persona. Për përballimin e fluksit që pritet të vijojë deri në ditët e para të janarit janë marrë masat për shtimin e sporteleve. (A2 Televizion)