
Në prag të festave të fundvitit, Porti i Durrësit ka intensifikuar operacionet detare, duke nisur lundrime të dyfishta (dopjo korse) të trageteve në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.
Duke filluar nga 18 dhjetori, regjimi i shtuar i lundrimeve, me vajtje–ardhje brenda së njëjtës ditë, synon përballimin e fluksit sezonal të udhëtarëve dhe mjeteve, si edhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimit detar në kushte sigurie dhe eficience operative.
Në Terminalin e Trageteve, të gjitha strukturat portuale, shërbimet mbështetëse dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve. Paralelisht, po zbatohen masa shtesë sigurie dhe koordinimi operacional, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet përkatëse.
Operacionet po zhvillohen normalisht, me fokus në respektimin e orareve të lundrimit, përpunimin në kohë të pasagjerëve dhe mjeteve, si dhe shmangien e vonesave gjatë kësaj periudhe festive.
Porti i Durrësit vijon të sigurojë funksionim të pandërprerë të linjave detare dhe një shërbim të qëndrueshëm për operatorët dhe përdoruesit e portit. (A2 Televizion)