Mbetet problematike situata e shkaktuar nga zjarret. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes në të gjithë vendin janë aktive 19 vatra. Në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër zjarri vijon të jetë aktiv dhe problematik.
Për shuarjen e tij janë angazhuar 2 avionë grekë, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Në parkun e “Rëzom”, zonë e mbrojtur vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka.
Në Qarkun Dibër, në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, në zonë të mbrojtur vazhdon të jetë aktive një vatër zjarri, që është zhvilluar me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara.
Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, zjarri është afruar pranë Azilit të të Moshuarve. Situata është përkeqësuar në fshatin Plirëz, dhe po evakuohen banorët. Në fshatin Rehovë, zjarri ka përparuar në afërsi të banesave ndërsa janë evakuuar banorët.
Në Qarkun Tiranë, vijon aktiv zjarri në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, ku forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.
Në lartësitë e fshatit Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. E vështirë është situata edhe në bashkinë Fushë Arrëz ku zjarri në fshatin Xath ka marrë përmasa të mëdha. (A2 Televizion)