Zaçaj: Nuk ka drejtësi pa garanci procedurale, liria është rregulli

Nga A2 CNN
25 Shtator 2025, 12:46 | Aktualitet

Zaçaj: Nuk ka drejtësi pa garanci procedurale, liria është

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, gjatë fjalës së saj përshëndetëse në aktivitetin e mbështetur nga Këshilli i Evropës me temë: “Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri”, theksoi rëndësinë e balancës mes sigurisë dhe lirisë personale, duke e konsideruar këtë një themel të shtetit demokratik.

Duke cituar Benjamin Franklin: “Kush sakrifikon lirinë themelore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk meriton as lirinë dhe as sigurinë”, Zaçaj u ndal të theksonte se drejtësia nuk mund të ndëshkojë autorët e shkeljeve në dëm të garancive procedurale dhe të të drejtave themelore të individit, shkruan A2.

“Fuqia e drejtësisë nuk qëndron te dënimi, por te legjitimiteti dhe legjitimiteti lind nga respektimi i të drejtave, edhe kur kjo është e vështirë - sidomos kur është e vështirë.”, – i mëshoi fjalës së saj kreu i Kushtetueses duke kujtuar se shoqëria nuk ka nevojë për “drejtësi të shpejtë në dëm të drejtësisë së drejtë”.

Kryetarja ngriti shqetësimin për fenomenin e mbipopullimit në paraburgime, duke theksuar se respektimi i të drejtave të të ndaluarve nuk është çështje buxhetore, por kushtetuese dhe ligjore. Ajo theksoi se çdo kufizim i lirisë duhet të jetë i ligjshëm, proporcional dhe i mbështetur në garanci procedurale, sipas Kushtetutës dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut.

“Ne nuk mund dhe nuk duhet të matim suksesin e sistemit të drejtësisë me numrin e arrestimeve, nëse këto masa nuk respektojnë Kushtetutën apo standardet evropiane”

Zaçaj përgëzoi Këshillin e Evropës për këtë nismë dhe siguroi mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese për forcimin e rolit të gjyqësorit si garant i lirive themelore të qytetarëve, duke theksuar se drejtësia nuk matet me numrin e arrestimeve, por me respektimin e të drejtave dhe legjitimitetin e vendimeve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos