
Projekti turistik i kompanisë GENER 2 në zonën e Velipojës është vënë prej kohësh në shënjestër të një serie sulmesh dhe pretendimesh publike, ku faktet janë zëvendësuar nga spekulime të pabazuara në dokumente dhe në vendime institucionesh.
E vërteta qëndron se ky investim është konceptuar si një projekt strategjik me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik për zonën dhe si një pol i ri zhvillimi turistik për vendin.
Për hir të transparencës, që kemi ndërtuar prej dekadash me publikun dhe informimit korrekt të opinionit, paraqesim më poshtë 10 të vërteta të verifikuara mbi projektin:
1. Leja e ndërtimit është 100% e përmbyllur
Projekti ka marrë leje ndërtimi përfundimtare, pas përmbushjes së të gjitha procedurave ligjore dhe teknike, duke respektuar çdo hap administrativ, mjedisor dhe urbanistik, përfshirë edhe zhvillimin e dëgjesave publike me komunitetin
2. Pretendimet për pronësi brenda territorit të projektit të pabazuara në dokumente
Çdo pretendim aktual për pronësi nuk është mbështetur asnjëherë me dokumentacion të vlefshëm në gjykatë gjatë proceseve të zhvilluara deri në vendimin përfundimtar. Nëse ka dokumente të tjera, ku pretenduesit të vërtetojnë me prova atë që thonë me gojë, atëherë ato duhet të ishin bërë publike dhe duhet të ishin paraqitur përpara autoriteteve kompetente.
3. Statusi i kompanisë GENER 2
Në këtë proces, GENER 2 ka qenë palë e tretë zhvilluese, duke hyrë në marrëdhënie kontraktuale për truallin me një palë të dytë të ligjshme. Kompania nuk ka asnjë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me pretenduesit aktualë, të cilët nuk kanë provuar ligjërisht asnjëherë pretendimet e tyre.
4. Gatishmëri e përhershme për transparencë
Kompania ka deklaruar vazhdimisht gatishmërinë për transparencë ndaj institucioneve, mediave dhe përfaqësuesve seriozë politikë, mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve, jo të narrativave apo interpretimeve të njëanshme dhe dashakëqija. Kush dëshiron informacione shtesë, është i mirëpritur të na kontaktojë dhe do të marrë menjëherë çdo sqarim.
5. Nuk ka proces gjyqësor pezullues
Pretendimet se projekti ndërtohet mbi një tokë me konflikt të hapur gjyqësor aktiv apo se ekziston një proces tjetër, që pezullon projektin, janë të pavërteta. Prona i ka kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit gjyqësor dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore për vijimin normalisht të punimeve.
6. Procesi tjetër i përmendur në media
Procesi gjyqësor i paraqitur në disa media si “fitore” nuk ka asnjë lidhje me perimetrin e projektit të GENER 2 në zonën e Velipojës dhe nuk prek asnjë centimetër të sipërfaqes, ku po zhvillohet investimi.
7. Pretendimi për uzurpim të pronës
Pretendimi se kompania ka uzurpuar tokë pa dokumentacion ligjor është tërësisht i pavërtetë. Trualli është kontraktuar përmes një transaksioni të ligjshëm, të mbështetur në dokumentacion të plotë pronësie. Theksojmë se pronësia në të gjithë territorin e projektit është 100 përqind private, që do të thotë se nuk ka asnjë metër katror tokë shtet.
8. Të drejtat e trashëgimtarëve
Pretendimi se janë cenuar të drejta trashëgimtarësh brez pas brezi nuk qëndron, pasi asnjë nga pretenduesit nuk ka paraqitur dokumentacion ligjor që provon një të drejtë të tillë mbi sipërfaqen e projektit.
9. Tensionet në terren, kompania e penalizuar padrejtësisht
Pretendimi se tensionet në terren janë nxitur nga kompania është i pavërtetë, madje faktet flasin për të kundërtën. Pas sulmeve të njëpasnjëshme ndaj punonjësve tanë dhe pajisjeve në funksion, kompania u detyrua të kontraktojë një kompani private sigurie, e licencuar prej vitesh në treg, me qëllim mbrojtjen e punonjësve dhe të investimit nga aktet e dhunës.
10. Çfarë rezulton pas gjithë këtyre energjive negative të shpenzuara?
Në një shtet të së drejtës, çështjet e pronësisë dhe ligjshmërisë trajtohen në gjykatë, jo përmes presionit publik apo tensioneve në terren. Dhe kjo vlen si për ata që kanë pretendime konkrete, ashtu edhe për aktorë të tjerë politikë dhe mediatikë që shfrytëzojnë rastin për të afruar gjoja mbështetje publike për qëllime dhe interesa okulte. (A2 Televizion)