Nuk ka mirëmbajtje, vlerat e Gjirokastrës historike rrezikojnë degradimin

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
3 Mars 2026, 12:03 | Aktualitet

Ajo për të cilën Gjirokastra është marrë nën mbrojtjen e UNESCO dhe e tërheq me qindra mijëra turistë çdo vit është në rrezik. Bëhet fjalë për banesat karakteristike të këtij qyteti ku një pjesë e konsiderueshme janë degraduar dhe të tjerët rrezikojnë të humbasin vlerat për të cilat janë cilësuar si monumente kulture të kategorive të para dhe të dyta, shkruan A2 CNN.

Një shembull i këtij rreziku degradimi është shembja e një pjese të banesës “Fico” monument kulture i kategorisë së parë. Përballë kësaj situate, drejtori i trashëgimisë kulturore në Gjirokastër apelon pronarët e banesave që të kujdesen për to, pasi institucionet shtetërore, përveç ndonjë ndërhyre emergjente, nuk kanë mundësi t'i mirëmbajnë të gjitha banesat, monumente kulture.

“Ka dhe një numër të lartë të objektesh, janë tashmë janë shumë. Konkretisht në qendrën historike janë 70 objekte monumente kulture kategoria e parë dhe 320 objekte kategoria e dytë”, thotë për A2 CNN Ardis Dula, drejtor i DRTK Gjirokastër. “Kemi një numër do thosha disi të lartë në rrezik për shkak se janë të pabanuara. Gjej rastin t’u bëj thirrje pronarëve të këtyre objekteve të cilët realisht duhet të investojnë për objektet e tyre pasi realisht institucionet shtetërore kryejna ndërhyrjen mirëmbajtëse emergjente, por është e pamundur që të gjitha objektet të kurohen dhe të investohen nga shteti”.

Aktualisht në qarkun e Gjirokastrës numërohen më shumë se 550 monumente kulture të kategorisë së parë përfshi edhe urat të cilat në shumicën e tyre janë gramat e fundit të ekzistencës. Situata kërkon ndërhyrje emergjente në mënyrë që të mos thuhet na ishte njëherë Gjirokastra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos