Gjirokastra pushtohet nga balta e gurët, shkëputet energjia në qytet, mbyllen shkollat

Nga A2 CNN
7 Janar 2026, 10:36 | Aktualitet

Gjirokastra ditën e djeshme ka përjetuar një mbrëmje që nuk e kishte përjetuar kurrë më parë. Kjo për shkak të vërshimit të përrenjve malorë nga pjesa e sipërme e qytetit e deri në fundin e tij, duke bllokuar thuajse totalisht të gjitha rrugët e Gjirokastrës me inerte dhe me sasi shumë të mëdha uji. Situata ishte e tillë sa u bë e pamundur çdo ndërhyrje për të shpëtuar pronën apo sende të tjera që qytetarët kishin nëpër rrugë.

“Në fakt, përroi i Ficos doli nga shtrati në vetëm 10 minuta, duke shkaktuar përmbytje masive në bizneset e qytetit të Gjirokastrës. Me dhjetëra automjete u përfshinë nga uji. Për fat të mirë, nuk ka pasur probleme në njerëz, nuk ka persona të rrezikuar dhe nuk ka pasur banesa të përmbytura, por dëmet janë përqendruar kryesisht te bizneset”, raportoi gazetari i A2 Rigels Malile.

Gjirokastra pushtohet nga balta e gurët, shkëputet energjia në

“Aktualisht janë me dhjetëra biznese të dëmtuara, të cilat janë thuajse totalisht jashtë funksionit. Forcat zjarrfikëse po ndërhyjnë për largimin e ujit nga këto biznese, duke u përpjekur të rikthejnë sadopak normalitetin”.

Problematika më e madhe është përqendruar në qytetin e Gjirokastrës. Ka pasur vetëm probleme të vogla në rrugët rurale, ku është bllokuar aksi rrugor Subash–Tërbuq–Labovë, i cili është i pakalueshëm për shkak të rrëshqitjes së dherave. Për pasojë, banorët e këtyre zonave, kryesisht të moshuar, janë izoluar në banesat e tyre.

Gjirokastra pushtohet nga balta e gurët, shkëputet energjia në

Gjithashtu, në Gjirokastër është pezulluar mësimi në shkollat e qytetit, por edhe në të gjitha zonat rurale, pasi komunikimi me këto zona është i pamundur dhe mësuesit e nxënësit nuk mund të shkojnë në shkollë.

Është ndërprerë energjia elektrike në të gjithë qytetin, si masë sigurie për të shmangur avaritë, duke qenë se pjesa e poshtme e qytetit ndodhet nën ujë. Ndërkohë, po punohet për largimin e inerteve dhe të ujit nga bizneset e përmbytura.

Gjirokastra pushtohet nga balta e gurët, shkëputet energjia në

“Dalja e përrenjve malorë ishte një situatë e paralajmëruar për Gjirokastrën, edhe pse askush nuk e uronte që të ishte në këto përmasa. Prej vitesh ka pasur problematika me mosndërhyrjen në shtretërit e lumenjve dhe përrenjve, çka solli përkeqësimin e situatës deri në këtë pikë, duke e lënë qytetin në mëshirë të fatit. Qytetarët e patën të pamundur të shpëtonin sendet dhe pronën e tyre”, tha Malile.

Nuk raportohen probleme në bashkitë e tjera të qarkut: Tepelenë, Përmet, Memaliaj, Libohovë dhe Dropull. Gjirokastra ka qenë qyteti më i goditur këtë herë dhe situata pritet të përkeqësohet për shkak të parashikimeve jo optimiste të motit. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos