“Green Card merret vetëm me martesë”, Marko Kepi: Fëmijët që lindin në Amerikë mund të marrin familjen pasi mbushin 18 vjeç

Nga A2 CNN
7 Janar 2026, 10:21 | Aktualitet

Marko Kepi, themelues i Shoqatës “Rrënjët Shqiptare”, shpjegoi në “Dita jonë” procedurat që duhen ndjekur për marrjen e dokumenteve amerikane. Sipas tij, problemi kryesor për shqiptarët ka qenë gjithmonë statusi ligjor. “Ka shqiptarë që jetojnë prej 30–35 vitesh në SHBA, kanë biznese dhe familje, por ende nuk kanë dokumente dhe nuk mund të kthehen në Shqipëri apo Kosovë. Ky problem ekziston prej administratave të mëparshme, jo vetëm nga Trump”, tha Kepi.

I pyetur a do të vazhdojnë shqiptarët të vijnë në Amerikë, ai shtoi: “Po, nëse plotësojnë kushtet ligjore. Pa dokumente nuk ia vlen, është humbje kohe dhe parash. Me vizë, nuk ka problem. Ata që kanë hyrë ilegalisht nga Meksika, shumë prej tyre po kthehen mbrapsht.

Ai hodhi poshtë lajmet se lindja e një fëmije në Amerikë nuk garanton më shtetësinë. “Janë thjesht artikuj mediatikë. Ligji i tokës në SHBA është i qartë: çdo fëmijë i lindur në territorin amerikan është automatikisht shtetas amerikan. Kjo nuk mund të ndryshohet. Fëmija mund të sponsorizojë familjen pasi mbush 18 vjeç”, tha ai.

“Ndryshime mund të ketë vetëm në rastet e martesave me shtetas amerikanë, sepse ka pasur shumë martesa fiktive për përfitim dokumentesh. Aty mund të shtyhen afatet, por jo të hiqet e drejta”.

Sa i përket lotarisë amerikane, ai tha se për momentin është anuluar. “Kjo ishte hera e parë në histori që nuk u zhvillua. Ka shkaktuar zhgënjim të madh. Trump synon të rishikojë vendet pjesëmarrëse dhe ka përmendur shpesh shtete evropiane si Norvegjia, Suedia, Holanda. Besoj se politika e tij synon të kthehet te modeli para administratës Kennedy”, tha Kepi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos