Gruaja ndërroi jetë pas ndërhyrjes për ngushtim të stomakut, reagon mjeku

Nga A2 CNN
22 Maj 2025, 17:19 | Aktualitet

Gruaja ndërroi jetë pas ndërhyrjes për ngushtim të

Ka reaguar mjeku Ilir Shani, i cili ndodhet në qendër të akuzave për neglizhencë në trajtimin mjekësor, pas vdekjes së pacientes, e cila ndërroi jetë pas ndërhyrjes kirurgjikale për ngushtimin e stomakut.

Përmes një deklarate publike, Shani shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerës dhe theksoi se ka një detyrim moral dhe profesional për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, shkruan A2 CNN.

“Në emër të stafit mjekësor dhe në emrin tim personal, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerës. Kjo humbje është thellësisht e dhimbshme për të gjithë ne, pasi e ndjera ishte jo vetëm paciente, por edhe një e njohur e afërt për të cilën ushqenim respekt të veçantë,” u shpreh ai.

Sipas tij, ndërhyrja kirurgjikale përfundoi me sukses më datë 20 maj 2025, dhe pacientja u transferua në pavijon në gjendje të mirë, pa shqetësime. Por në orët e para të mëngjesit të datës 21 maj, pacientja pësoi arrest kardiak të menjëhershëm, që sipas mjekut ishte pasojë e një infarkti akut masiv.

“Ndihma mjekësore u ofrua menjëherë, por goditja rezultoi fatale dhe përpjekjet për ta rikthyer në jetë nuk patën sukses,” shpjegoi Shani.

Ai deklaron se stafi ka qenë i angazhuar plotësisht në trajtim dhe se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha organet hetimore për të sqaruar çdo aspekt të ngjarjes.

“E kuptojmë dhe ndjejmë dhimbjen e familjes dhe jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunimin e plotë me organet përkatëse,” theksoi ndër të tjera Shani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos