Në QSUT janë hapur dy klasa mësimore me teknologji të avancuar për fëmijët e shtruar në Spitalin Pediatrik. Sipas ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, fëmijët do të kenë mundësi të ndjekin mësimin përmes teknologjisë dhe aktiviteteve edukative, duke përfshirë edhe mësimin sipas kurrikulës shkollore dhe aktivitete argëtuese si lexim, muzikë dhe art. Në to janë vendosur katër mësues të sistemit arsimor dhe një mësuese e përhershme, e ciklit fillor.
“Janë tashmë gati dy klasa të mësimit që kemi hapur falë ndihmës së çmuar të Fondacionit SASA Setton. Një klasë për mësimin përmes teknologjisë dhe për mësimin sipas kurrikulës së shkollës për fëmijët që janë shtruar në Spitalin Pediatrik edhe një klasë arti. Kemi vendosur katër mësues të sistemit arsimor dhe një mësuese që është e përhershme në pediatri, mësuese e ciklit fillor. Katër mësues të cilët do të jenë pjesë e ‘shkollës’ së ndërtuar tashmë në Spitalin Pediatrik, të dyja klasat janë funksionale, do të ofrojnë mësim, por edhe argëtim për fëmijët që trajtohen në këtë spital”, tha Manastirliu.
Ky projekt është rezultat i një marrëveshjeje tripalëshe mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Fondacionit SASA Setton, dhe ka për qëllim t'u ofrojë fëmijëve mundësinë për të vazhduar mësimin dhe argëtimin gjatë qëndrimit të tyre në spital.
Për fëmijët që e kanë të pamundur lëvizjet nga shtretërit, do të mundësohen tableta, smartphone dhe mjete didaktike të krijuara posaçërisht për ta. Krahas mësimit, do të ofrohen aktivitete që lidhen me leximin, fotografinë, muzikën etj.
Ky projekt është rezultat i një marrëveshjeje tripalëshe mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Fondacionit izraelit SASA Setton, dhe ka për qëllim t'u ofrojë fëmijëve mundësinë për të vazhduar mësimin dhe argëtimin gjatë qëndrimit të tyre në spital.
(A2 Televizion)