Sytë te ushtria, Shqipëria synon të kthehet në “faktor paqeje” jo vetëm në rajoni

Nga A2 CNN
8 Prill 2025, 18:33 | Aktualitet

Me gjithë fitoren e Donald Trump që vijon të zotohet të rivendosë paqen në botë, Shqipëria do të vijojë t’i mbajnë sytë te ushtria. Në një kohë që retorika e luftës vijon të jetë në “rritje”, vendi planifikon të shpenzojë 122 miliardë lekë për modernizimin dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturën ushtarake deri në vitin 2033.

“Bosnje-Hercegovina dhe Kosova mbesin “çështje të nxehta” në Rajon. Po rrisim bashkëpunimin me Italinë, Greqinë dhe Greqinë. Jemi të vendosur të bashkëpunojmë të mbështesim Ukrainën për arritjen e paqes dhe stabilitetit. Ndërkohë po rrisim kapacitet ushtarake në burime njerëzore dhe infrastrukturë”, shprehet ministri Vëngu.

Me rijetësimin e ushtrisë Shqipëria synon të kthehet në “faktor paqeje” jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Partneriteti i Sigurisë dhe Mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së i firmosur në dhjetor 2024, na jep mundësinë të rrisim bashkëpunimin efektiv për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Ky partneritet strategjik do të forcojë përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin dhe do të rrisë më tej aftësitë e vendit tonë për sigurinë dhe mbrojtjen, duke kontribuar për një Europë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, shtoi Vëngu.

Të njëjtin objektiv e ndau edhe ministri për Evropën dhe Punët d Jashtme, Igli Hasani nga sesioni i parë i Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Shqipëri ku morri pjesë edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

“Shqipëria ka parë gjithmonë veten si një forcë stabilizuese në rajon. Ne e kemi treguar vazhdimisht angazhimin tonë përmes veprimeve, jo vetëm fjalëve, duke marrë pjesë aktivisht në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes”, tha ministri Hasani.

Nga ana tjetër, ministri Hasani e cilësoi këtë takim si një mundësi të vyer për të shkëmbyer ide dhe për të theksuar bashkëpunimin e suksesshëm e efikas mes BE-së dhe Shqipërisë në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.

“Për një vend si Shqipëria që është plotësisht e linjëzuar dhe besnike me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ky dokument është një shprehje e angazhimit tonë të përbashkët për të punuar edhe më ngushtë së bashku në përballimin e sfidave të ndërlikuara të kohës që po jetojmë”, shtoi Hasani.

Dialogu për Sigurinë dhe Mbrojtjen është i pari në një seri seancash që do të përcaktojnë se si Shqipëria dhe BE-ja do të punojnë së bashku për të adresuar sfidat e kohës që kapërcejnë kufijtë kombëtarë dhe kërkojnë zgjidhje kolektive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos