Hapet tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, Tiranë-Dibër për dy orë

Nga Fjorela Beleshi
14 Mars 2025, 20:01 | Aktualitet

Me hapjen e Tunelit të Murrizit, udhëtimi nga Tirana në Dibër do të shkurtohet në vetëm në 2 orë. Teksa kanë mbetur më pak se 2muaj nga zgjedhjet parlamentare, qeveria inauguroi hapjen e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore.

Këtë herë jo me prerje shiritash, por me këngë dhe valle. Për të treguar që është gjithçka nën kontroll, Kryeministri së bashku me ministrat e tij, drejtuesin politik të qarkut dhe zyrtarë lokalë e përshkruan tunelin me autobus. Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës, shpjegoi të gjitha detajet.

“3.8 kilometra i gjatë, plotësisht i kompletuar. Kemi bërë testet mbrëmë natën vonë. Gjithashtu, këtu ndodhen edhe njësitë e zjarrfikësve. Kemi edhe tunelin paralel që është tuneli i emergjencës, me 11 hyrje dhe dalje. Nuk parashikohet të ketë ndonjë ndërprerje trafiku në vazhdim. Është një vepër arti pasi është i gjithi i blinduar me hekur, si një unazë hekuri, për shkak të gjeologjisë”, tha ministrja Balluku. 

Gëzimet dibranët i demonstruan me puthje dhe përqafime për Kryeministrin, ndërsa në këmbim morën premtimin që në prill, në kulmin e fushatës elektorale, do të përfundojë edhe segmenti tjetër Maqellarë- Peshkopi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos