Holta Zaçaj: Mos kini frikë nga zëri i Avokatit të Popullit, kini frikë heshtjen që do të ekzistonte pa të!

Nga A2 CNN
25 Qershor 2025, 12:49 | Aktualitet

Holta Zaçaj: Mos kini frikë nga zëri i Avokatit të

Në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 25-vjetorit të themelimit të institucionit të Avokatit të Popullit, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi rolin thelbësor që ka ky institucion në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individit.

Në këtë aktivitet jubilar, ku ishin të pranishëm ambasadorë, drejtues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, znj. Zaçaj u shpreh se ndihej e nderuar që ishte pjesë e një momenti kaq të rëndësishëm për demokracinë shqiptare.

“Gjykata Kushtetuese dhe Avokati i Popullit, ndonëse me kompetenca të ndryshme, ndajnë një mision të përbashkët: mbrojtjen e qytetarit nga arbitrariteti dhe abuzimi i pushtetit shtetëror”, tha Zaçaj në fjalën e saj.

Duke vënë theksin te bashkëpunimi ndërinstitucional, Kreu i Kushtetueses nënvizoi se kërkimi i opinioneve këshillimore nga Avokati i Popullit është bërë tashmë një praktikë e konsoliduar, pasi ky institucion shihet si “mik i Gjykatës” në procesin e mbrojtjes së të drejtave kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese mbron Kushtetutën – kontratën mes popullit dhe pushtetit. Por ndërsa ne gjykojmë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe ankimet e individëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre kushtetuese, Avokati i Popullit na kujton atë që ligji dhe drejtësia nuk duhet të harrojë kurrë: Njeriun pas parimit. ”

Duke iu drejtuar të gjithë funksionarëve publikë, znj. Zaçaj dha një mesazh të qartë dhe domethënës: “Shëndeti i demokracisë sonë nuk matet me madhështinë e institucioneve apo me arkitekturën e komplikuar të ligjeve—por me mënyrën sesi trajtojmë më të dobëtit ndër ne. Dhe nëse Avokati i Popullit ndonjëherë ose shumë herë është i papëlqyer për pushtetin, kjo do të thotë se po e kryen misionin e tij siç duhet.

Për këtë arsye, institucionet tona duhet të punojnë në bashkëpunim – jo në garë. Një demokraci e maturuar nuk ndërtohet mbi institucione që mbrojnë vetveten – por mbi institucione që mbrojnë ligjin, të drejtën dhe Kushtetutën, në mënyrë që së bashku të mbrojnë qytetarin.

Mos kini frikë nga zëri i Avokatit të Popullit. Kini frikë heshtjen që do të ekzistonte pa të. Mos e shihni si kritik, por si busull që orienton institucionet drejt mbrojtjes së të drejtave dhe forcimit të demokracisë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos