Homazhet për Astrit Kalanë, politika hesht, gjyqtarët shpërthejnë në revoltë: Siguria në nivelin zero

Nga Igli Çelmeta
8 Tetor 2025, 14:57 | Aktualitet

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u mbajtën homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra dy ditë më parë në sallën e gjyqit të Apelit të Tiranës, teksa ishte në krye të detyrës. Familjarë, miq, si dhe figura të njohura nga drejtësia dhe politika i dhanë lamtumirën e fundit.

Në ceremoni morën pjesë drejtuesit më të lartë të institucioneve të drejtësisë, gjyqtarë dhe prokurorë nga e gjithë Shqipëria. Mes tyre ishin kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, kryetari i GJKKO-së, Erion Bani, kreu i ILD-së dhe kryetari i KLGJ-së. Homazhe zhvilluan gjithashtu kryeministri Edi Rama, presidenti Bajram Begaj, ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe ministri aktual, Besfort Lamallari. Nga opozita mungoi kryetari Sali Berisha, ndërsa të pranishëm ishin disa deputetë të Partisë Demokratike.

Pas homazheve, politika zgjodhi heshtjen për çështjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë dhe për përgjegjësitë e ngjarjes. As kryeministri Rama, as presidenti Begaj, dhe as opozita nuk dhanë komente publike. I vetmi që reagoi ishte ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

“Ngjarja është tronditëse, kam deklaruar se është akt barbar, dhe kambanë alarmi për sigurimin e punonjësve të drejtësisë. Le të shërbejë kjo ditë si homazh për të gjithë punonjësit e drejtësisë”, u shpreh Manja.

Nga drejtësia, shqetësimin për sigurinë në gjykata e ngriti kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

“Patjetër që duhen marrë masa se situata është shumë kritike. Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme, siguria është në nivelin zero. E them me bindje të plotë dhe nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë. Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi”, u shpreh Sadushi.

Ndërsa gjyqtari i GJKKO-së, Erion Bani, theksoi se nevojiten godina të reja për garantimin e sigurisë dhe se prania e forcave të policisë në sallat e gjyqit është e domosdoshme.

"Që nga 2010, aktet ligjore thonë se sallat e gjykimit duhet të kenë praninë e forcave të policisë që të garantohet siguria. Ky është fakt, arsyeja pse nuk janë përcaktuar, do t’i diskutojmë dhe do të ketë reagim nga ana e organeve që kanë kompetencë për të mbikëqyrur mënyrën e zbatimit të sigurisë në gjykata”, tha Bani.

Ndërsa kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, e konsideroi ngjarjen një plagë për të gjithë sistemin e drejtësisë.

“Unë nuk e di, por se si KLGJ më paraqet shkresa... Këtu duhen marrë masa drastike deri në fund. Ti dalë uji i zi kësaj pune. Iku një njeri, familjar, baba, koleg dhe mik i mirë. Unë takova kolegët tanë gjyqtarë dhe ata janë komplet të lëshuar, demoralizuar dhe njëra nga ato tha ‘na kanë nxjerrë në pritë’", tha Haxhia.

Pas homazheve shtetërore në Pallatin e Kongreseve, kortezhi me trupin e gjyqtarit Kalaja u nis drejt Shkodrës, vendlindjes së tij, ku ai u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e Stom-Golemit. Gjyqtari Kalaja u vra nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, xhaxhai i të cilit, Gjon Shkambi, ishte palë në një çështje pronësie që po gjykohej nga i ndjeri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos