
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vlerësuar me “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” Inspektorin Marsel Bicja, për ndërhyrjen e tij profesionale dhe humane, me të cilën shpëtoi jetën e një qytetari që rrezikonte të digjej pas shpërthimit të një bombe molotov. Ngjarja ndodhi në protestën e 22 dhjetorit të opozitës në bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë kryeministrisë.
Sipas motivacionit zyrtar, vlerësimi iu akordua në shenjë mirënjohjeje për aktin e humanizmit, vendosmërinë dhe reagimin e menjëhershëm gjatë ushtrimit të detyrës, duke vendosur në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si misionin kryesor të Policisë së Shtetit.
Certifikata iu dorëzua Inspektor Bicjas nga vetë Drejtori i Përgjithshëm gjatë aktivitetit të festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Në fjalën e tij, Ilir Proda falënderoi punonjësin e policisë për veprimin e guximshëm dhe përkushtimin ndaj qytetarëve.
“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, u shpreh Proda.
Edhe Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, vlerësoi veprimin e Inspektor Bicjas, duke theksuar se ndërhyrja e tij ishte e diktuar nga ndjenja njerëzore dhe përgjegjësia që buron nga uniforma e Policisë.
Nga ana e tij, Inspektor Marsel Bicja shprehu mirënjohje për vlerësimin dhe u shpreh se veproi pa hezitim, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve mbetet prioritet absolut për të dhe kolegët e tij.
(A2 Televizion)