
Për herë të parë në një shkollë publike 9-vjeçare në Durrës është instaluar një impiant fotovoltaik, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të energjisë së pastër dhe reduktimit të kostove të energjisë elektrike, raporton a2 CNN.
Shkolla “Jusuf Puka” tashmë arrin të mbulojë rreth 90 për qind të nevojave të saj energjetike falë këtij investimi, të mbështetur nga Republika e Bullgarisë, duke u kthyer në një model të shkollës së gjelbër dhe miqësore me mjedisin.
“Më bëri shumë përshtypje baza juaj materiale e shkëlqyer dhe kopshti didaktik ku punojnë nxënësit. Ky është rezultat i punës së mësuesve por edhe punës suaj si nxënës. Kjo në vijim do t’ju ndihmojë të ndërtoni të ardhmen tuaj. Për mua është nder të jem sot me ju për një nismë të realizuar me sukses, e cila lë një gjë të qëndrueshme për shkollën dhe komunitetin lokal”, tha Ivaylo Kirov, Ambasador i Republikës së Bullgarisë, përcjell A2 CNN.
Me këtë investim, shkolla shërben tashmë si shembull për përdorimin e energjisë së rinovueshme në institucionet arsimore dhe pritet të pasohet edhe nga shkolla të tjera të qytetit bregdetar. (A2 Televizion)