Në një analizë në prag të Ditës së Shën Valentinit, psikologia Almida Xhaferi thekson se dashuria nuk duhet të matet me çmimin e dhuratave. Në Dita Jonë në A2 CNN, ajo shpjegon se dhuratat shumë të shtrenjta shpesh shërbejnë për të kompensuar mungesën e vëmendjes, ose për të mbuluar probleme në marrëdhënie, dhe jo për të shprehur ndjenja të sinqerta.
“Sa më e shtrenjtë të jetë dhurata aq më problematike është marrëdhënia, sepse dhuratat e dashurisë janë emocion, janë simbolikë, janë përvoja, nuk janë gjëra të shtrenjta materiale dhe nëse njeriu ndjen që një ditë në vit të shpërblejë partneren, apo partnerin e vetë me një dhuratë super të shtrenjtë, do të thotë që ka aty ndjenja faji brenda. Që nuk jam kujtuar për ty mjaftueshëm, nuk di si të të vlerësoj në përditshmëri, kështu që po zgjedh një ditë të caktuar ku të investohem shumë financiarisht me besimin apo shpresën që këto ndjenjat e fajit që unë kam brenda vetes në raportin se si pozicionohemi dhe se si është marrëdhënia jonë për t'i sheshuar me qëllimin që ti të kënaqësh egon. Këto dhuratat që postohen nëpër rrjetet sociale janë për t'i treguar tjetrit, shiko sa e vlerësuar jam unë në raportin tim, apo sa shumë më vlerëson partneri. Ndonjëherë tentojnë të të mbushin këto vakumet emocionale që ka në jetën e një çiftit”, tha psikologia në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas saj dhurata materiale përdoret për të qetësuar ndjenja fajin, ose për të kënaqur egon e partnerit, por nuk të mbush shpirtin. Psikologia shton se dashuria e vërtetë ushqehet përditë me respekt, përkujdesje dhe prezencë emocionale, dhe jo vetëm me gjeste spektakolare një ditë në vit.
“Është një lloj tendence nga ana e partnerit për të kompensuar, por që është shumë afatshkurtër. rrit një adrenalinë të momentit aty, të kënaq egon, por nuk të mbush shpirtin. Dhuratat që të mbushin shpirtin janë prania emocionale, është prezenca, është respekti i përditshëm, është mënyra se si dashuria ushqehet dhe të rrit të bëhet versioni më i mirë i vetes pa të penguar, pa të kufizuar, pa të zvogëluar, pa të bërë të ndihesh e pamjaftueshme dhe pa të vënë në pikëpyetje nëse do zgjidhesh ti gjithë jetën nga ky person mapo ndjen një lloj rivaliteti”, u shpreh ajo në Dita Jonë në A2 CNN.
(A2 Televizion)