Zbulohen 160 predha të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore

Nga A2 CNN
4 Mars 2026, 13:47 | Aktualitet

Zbulohen 160 predha të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore

Rreth 160 predha të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore janë zbuluar pranë urës së Vodiçës, në fshatin Vodiçë, Njësia Administrative Kotë, Bashkia Selenicë. Zbulimi u bë nga një firmë që po kryente punime në zonë, e cila njoftoi menjëherë forcat xheniere për praninë e municioneve të rrezikshme, raporton A2CNN.

Ekspertët e xhenios mbërritën në vendngjarje dhe për dy ditë me radhë zhvilluan operacionin për identifikimin dhe largimin e predhave. Gjatë ditës së djeshme u gjetën dhe u siguruan rreth 140 predha mortaje, ndërsa gjatë ditës së sotme u evidentuan edhe 20 predha të tjera.

Në total, në zonë janë zbuluar 160 predha të Luftës së Dytë Botërore, të cilat janë transportuar nga specialistët për në Tiranë, ku do të kryhen procedurat për asgjësimin e tyre në mënyrë të kontrolluar. Ndërhyrja e shpejtë e forcave xheniere shmangu çdo rrezik të mundshëm për banorët dhe për punonjësit që po kryenin punimet në këtë zonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos