
Gola, tension, polemika por llogaritë mbeten të hapura. Kupa e Shqipërisë mbylli mbrëmjen e të martës ndeshjet e para gjysmëfinale.
Ndeshja me më shumë emocione ishte ajo në Arenën Kombëtare, ku Dinamo barazoi në limite Vllazninë dhe gjithçka do të vendoset në Loro Boriçi. Në pjesën e parë, Vllaznia pretendoi për një penallti, por pas rishikimit të pamjeve nga sistemi VAR, vendimi u anulua. Megjithatë, shkodranët nuk u dorëzuan dhe gjetën avantazhin në minutën e 43′ me Bismark. Edhe fraksioni i dytë kishte shumë diskutime.
Dinamo kishte mundësinë për të barazuar me Dejvi Bregun nga penalltia por vlonjati u ndal nga portieri Jukaj. Kuqebluve në momentin më të mirë, i anulohet një gol nga Kevin Dodaj, pas një pozicion jashtë loje të Erdenis Gurishta në nisjen e aksionit. Kryeqytetasit nuk u ndalën deri në fund dhe minutat shtesë ishin dramatike për shkodranët.
Në të 93′, Erdenis Gurishta u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Neziri ndërsa pak më vonë një tjetër episod i rishikuar në VAR ndryshoi gjithçka. Dejvi Bregu këtë herë ishte i saktë nga penalltia dhe mbylli takimin me rezultatin e barabartë 1-1.
Fitues nuk kishte as në ndeshjen tjetër. Në Rrogozhinë, Egnatia barazoi 1-1 me Elbasanin. Eljon Sota kaloi shpejt vendasit në avantazh. Megjithatë, kjo festa zgjati deri në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 44-t, ishte Ze Gomes që dërgoi topin në rrjetë dhe riktheu baraspeshën në takim.
Një episod që ngjalli shumë dyshime, por pasi morën kohën e tyre, trupa e gjykimit vendosi që goli të ishte pozicion të rregullt. Pjesa e dytë nuk prodhoi shumë, ritmi ra dhe të dyja skuadrat u pajtuan me rezultatin 1-1. Dy biletat për në finale do të vendosen në ndeshjen e kthimit që do të luhen Elbasani-Egnatia ne 22 prill dhe Vllaznia-Dinamo më 23 prill. (A2 Televizion)