Ish-deputeti Dashamir Tahiri ka marrë pjesë ditën e sotme në protestën e organizuar në Tiranë, në mbështetje të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një interviste për A2 CNN, Tahiri tha se kjo protestë është një tubim me reagim ndërkombëtar, teksa shtoi se mbahet për të mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së, të cilët sipas tij, luftuan vetëm për të mbrojtur shtëpinë e tyre nga agresioni serb.
Tahiri kritikoi politikanët e nivelit të lartë, kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti, si dhe ish kryeministrin Sali Berisha, që nuk janë prezentë në këtë protestë.
Ai shtoi se kjo protestë duhet të jetë përbashkuese për të gjithë shqiptarët. Tahiri tha më tej se nuk ka shkuar në protestë si politikan, por si shqiptar i Çamërisë që mbështet luftën e drejtë të ‘vëllezërve’ nga Kosova.
“Kjo është një protestë me reagim mbarëkombëtar. Është një përgjëgjësi që i takon çdo shqiptari që ne t’i tregojmë që ata të UÇK janë luftëtarë të lirisë. Njerëzit e drejtë e ngritën vetë Gjykatën Speciale, sepse nuk kanë asgjë për të fshehur. Në fund të fundit ata luftuan për të mbrojtur shtëpinë e tyre.
Sot unë nuk jam si politikan, nuk ka ndjen fare. Sot jam si Kosovar, si Çam, si shqiptar. Ata që mungojnë e kanë gabim. Ajo që po bëhet në Hagë është për të përdhosur luftën e UÇK, Kosovën, Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Gabim që dje në Kuvend u votua kundër rezolutës për Kosovën. Çdo lloj rezolute duhet votuar sepse i shërben kombit shqiptar”, tha mes të tjerash Tahiri. (A2 Televizion)